Histori e shkurtër e shkollës “Hasan Prishtina”

Në vitin e parë shkollor 1968/1969, shkolla filloi punën në Ish-ndërtesën e shkollës ekonomike (Gjimnazi “Xhevdet Doda” më vonë). Në fillim shkolla kishte 8 paralele në gjuhën shqipe dhe 22 në atë serbokroate, derisa me ta punonin 38 mësimdhënës. Gjatë vitit shkollor  1969/1970, mësimin në gjuhën shqipe e vijonin  11 paralele, ndërsa në atë serbokroate 24 derisa numri i mësimdhënësve në këtë vit shkollor ishte 39. Por, gjatë këtyre dy viteve nuk dihet se sa ishte numri i përgjithshëm i nxënësve në të dyja gjuhët.

Në vitin e tretë shkollor 1970/1971, shkolla kishte gjithsej 37 paralele dhe atë në gjuhën shqipe 12 paralele ku vijonin mësimin 374 nxënës shqiptarë, ndërsa në atë serbokroate 25 paralele me 756 nxënës. Në këtë vit shkollor shkolla kishte 1130 nxënës.

Në vitin shkollor 1974-1975, për nxënësit dhe mësimdhënësit u krijuan kushte më të favorshme për zhvillimin e procesit mësimor. Ishte ky rezultat edhe i zhvillimeve më të favorshme politike të atëhershme në dobi të shqiptarëve dhe në përgjithësi edhe të statusit të Kosovës, e cila po në vitin 1974, fitoi edhe Kushtetutën e saj të atëhershme, e cila e ngriti në shkallë më të lartë statusin e saj të deriatëhershëm politik.

Në objektin e ri në Lagjen “Ulpiana”  të ndërtuar në janar të vitit 1974, kushtet për zhvillimin e procesit mësimor u përmirësuan pasi shkolla e re ishte ndër shkollat më të modernizuara të asaj kohe. Shkolla posedonte kabinetin e biologjisë, të kimisë, të fizikës, dy kabinete të BAT-it, bibliotekën me mbi 20.000 libra në të dy gjuhët me sallë të leximit, sallën e edukatës fizike dhe stadiumin modern të rrethuar me rrethojë të përshtatshme.  Kapaciteti i saj ishte 800 nxënës në një ndërrim, gjegjësisht, 1600 nxënës në dy ndërrime. Mirëpo, shkolla që në fillim startoi me 2000 nxënës, kështu që mësimi mbahej në tri ndërrime në të dy gjuhët mësimore atë shqipe dhe serbokroate.

Kjo gjendje e shtimit të numrit të nxënësve në këtë shkollë vazhdoi me vite të tëra, kështu që në vitin shkollor 1980/1981 numri i nxënësve ishte 3070 nxënës të cilët ishin të shpërndarë në  87 paralele që nga klasa I-VIII. Në kushte të tilla, të gjitha lokalet tjera të cilat ishin të destinuara për mësim kabinetik, ishin shndërruar në lokale të zakonshme duke pamundësuar pothuaj në tërësi mësimin praktik.

Gjatë vitit shkollor 1981/1982, nga shkolla “Hasan Prishtina” u transferuan 11 paralele në shkollën e re “Josip Broz Tito” (tani shkolla “Ismail Qemali) të ndërtuar në Lagjen “Bregu i Diellit”, mirëpo përsëri në shkollë procesi mësimor zhvillohet në tri ndërrime, dhe numri i nxënësve ishte 2700 .

Në vitin shkollor 1983/1984, numri i nxënësve në shkollë ngritet në 3100 nxënës, ku  kjo reflektohet edhe në punën e gjithmbarëshme të shkollës sepse mësimi zhvillohej edhe në sallën e arsimtarëve, në sallën e leximit, në arkivin e shkollës dhe në të gjitha kabinetet dhe vazhdimisht ishin nga dy klasë shëtitëse në ndërrimin e parë. Me këtë, nuk kishte më hapësirë për ushtrimin e aktiviteteve të lira shkollore dhe mbajtjen e mësimit plotësues.

Në vitin shkollor 1985/1986 kishte 2848 nxënës të shpërndarë në 94 paralele. Mirëpo, edhe pas kalimit të një numri të madh të nxënësve në shkollën e re të ndërtuar në lagjen “Dardania”, përsëri procesi mësimor zhvillohej në tri ndërrime dhe me një mesndërrim si dhe me javën gjashtëditëshe të mësimit.

Mirëpo, kjo përsëri nuk e pengonte personelin që të arrinte rezultate të larta në procesin mësimor por edhe në aktivitete të lira, ku nxënësit e kësaj shkolle me punën e tyre kishin arritur që ta prezentonin shkollën edhe nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare. Veçohet në këtë kohë seksioni i Piktorëve të Rinj të cilët me punimet e tyre prezentoheshin në shumë shtete të Evropës dhe më gjerë.

Në vitin shkollor 1989/1990 shkolla kishte 2464 nxënës , prej tyre 1714 në gjuhën shqipe dhe 732 në atë serbokroate.

Personeli mësimor numëronte 115 mësimdhënës. Prej këtij numri të arsimtarëve, në procesin mësimor në gjuhën shqipe punonin 48 arsimtarë në mësimin lëndor dhe 26 në mësimin klasor. Në gjuhën serbokroate punonin 27 arsimtarë në klasat e larta dhe 14 në klasat e ulta.  Prej tyre, 32 ishin me fakultetin e përfunduar, me  SHLP 43, me Akademi pedagogjike 33 dhe me shkollë të mesme 7 veta. Përveç mësimdhënësve në shkollë punonin edhe drejtori, ndihmësdrejtori, sekretari, regjisori, bibliotekari dhe 14 punëtorë teknik.

Gjatë viteve vijuese 1990-1999, të cilat ishin edhe më të rëndat për nxënësit dhe personelin mësimor të kësaj shkolle, në skenë u shfaq nacionalizmi serb me urrejtjen ndaj çdo gjëje që ishte  shqiptare. Kjo gjendje e cila zgjati më se një dekadë shkaktoi mjaft dëme dhe pasoja në procesin mësimor.

Gjithashtu, prej vitit 2000 e deri më sot numri  nxënësve është i lartë ku mesatarisht gjatë tërë këtyre dy dekadave numri i tyre ishte rreth 2100 nxënës me të cilët punojnë mesatarisht 80 mësimdhënës.